endrith Co-Admin


 | Titulli: Bursaspori anulon miqësoren me Kosovën? Sun 20 Mar - 13:32 | |
|  Kampioni në fuqi e Turqisë, Bursaspori, nuk do të vijë në Prishtinë më 27 mars për të zhvilluar ndeshjen miqësore me Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Kështu shkruajnë mediumet turke të shtunën.
Ndeshja miqësore ndërmjet Kosovës dhe Bursasporit ka qenë e paraparë të luhet më 27 mars në stadiumin e Prishtinës nga ora 15:00. Zhvillimin e ndeshjes në mesjavë e kishin konfirmuar drejtues të FFK-së dhe ata të klubit turk. Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën në Prishtinë i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Bursasporit, Mustafa Yedikardes, që konfirmoi ardhjen e kampionit turk.
Por gazeta turke "Olay Gazetesi" ka shkruar të shtunën se drejtuesit e Bursasporit kanë anuluar ndeshjen me Kosovën, pasi nuk e kanë pasur përkrahjen e plotë të Federatës së Futbollit të Turqisë. Sipas gazetës, Federata turke nuk ka dhënë pëlqimin pasi Federata e Futbollit të Kosovës nuk është pjesë e FIFA-s.
"Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Bursasporit është anuluar shkaku i ndeshjeve të përfaqësueseve. Ky vendim ka ardhur pasi Kosova nuk është e njohur nga FIFA. Gjithashtu, ideja për këtë miqësore të Bursasporit nuk është përkrahur nga Federata e Futbollit të Turqisë", ka shkruar gazeta turke.
Edhe drejtori teknik i Bursasporit, Ertugrul Saglam ka deklaruar për mediumet turke se ndeshja me Kosovën nuk do të luhet. Sipas tij, gjatë datave të lira të FIFA-s, Bursaspori nuk do të zhvillojë asnjë ndeshje përgatitore.
"Faza e ardhshme është shumë e rëndësishme për ne dhe nuk kemi kohë për të zhvilluar ndeshje miqësore. Nuk do të zhvillojmë asnjë ndeshje përgatitore", ka thënë Saglam.
Ndërkohë FFK-ja nuk është informuar nga Bursaspori për vendimin që të anulohet ndeshja. Kështu të paktën thotë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. Sipas Salihut në FFK nuk ka ardhur asnjë shkresë zyrtare nga klubi turk.
"Zyrtarisht nuk kemi marrë asnjë njoftim për anulimin e ndeshjes. Sigurisht krerët e Bursasporit nuk duan të kenë ndonjë problem dhe për këtë arsye mund të kenë vepruar ashtu", deklaroi Salihu të shtunën mbrëma. Ai megjithatë nuk beson se do të anulohet miqësorja.
Përfaqësuesja e Kosovës është dashur të grumbullohet në Prishtinë me 24 mars.
Në të vërtetë, FIFA në tetor të vitit 2008 ia kishte ndaluar Kosovës që të zhvilloi ndeshje miqësore me përfaqësueset e huaja. FIFA në fillim të këtij muaji vendosi që kërkesa e FFK-së për t'iu lejuar ndeshjet miqësore të dërgohet në UEFA. Vitin e kaluar Kosova luajti tri miqësore, me përzgjedhjen e Superligës së Shqipërisë, ekipin suedez Halmstad dhe atë zviceran Kalmar.
Kosova muajin e kaluar është dashur të përballet me klubin e njohur kroat, Dinamo. Por, Dinamo anuloi ardhjen pak ditë pas konfirmimit të ndeshjes. ------------------------------------------------------------------------------------------------------------------  |
|